Presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan ka përdorur samitin e fundit të NATO-s për të përcjellë një mesazh të qartë ndaj aleatëve perëndimorë: armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit duhet të jetë i përhershëm, ndërsa në Rripin e Gazës kërkohet një ndalim urgjent i luftimeve për të ndaluar përkeqësimin e krizës humanitare.
Sipas njoftimit nga zyra e presidentit turk, Erdogan zhvilloi takime dypalëshe me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, si dhe me presidentin amerikan Donald Trump. Bisedimet u përqendruan në tensionet rajonale, bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe marrëdhëniet me Bashkimin Europian.
“Presidenti Erdogan ka mirëpritur armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit dhe është shprehur se situata ka nevojë që të kthehet në një qetësi afatgjatë. Ai po ashtu kujtoi se kriza humanitare në Gazë sa vjen e rëndohet dhe se atje kërkohet po ashtu në mënyrë urgjente një armëpushim afatgjatë”, thuhet në deklaratë.
Turqia, një anëtare me ndikim e NATO-s, ka qenë një kritikë e vazhdueshme e veprimeve të Izraelit në Gaza. Konflikti i nisur më 7 tetor 2023 ka shkaktuar shkatërrime të mëdha dhe zhvendosje masive të popullsisë palestineze, duke krijuar një emergjencë humanitare të vazhdueshme.
Gjatë takimit me kancelarin gjerman Friedrich Merz, Erdogan përsëriti thirrjen për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të menjëhershme për popullin e Gazës.