Në një konferencë shtypi në kuadër të samitit të NATO-s në Hagë, presidenti francez Emmanuel Macron ka ngritur sërish çështjen e luftës tregtare mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjatë fjalës së tij, sipas Reuters, ai ka thënë se Rusia përbën kërcënimin kryesor për aleancën dhe se deklarata përfundimtare mes 32 anëtarëve të NATO-s për rritjen e shpenzimeve dëshmon se Evropa po forcon pozicionin e saj brenda aleancës, megjithatë, ai ka ngritur çështjen e tarifave të vendosura nga Trump.
“Nuk mund të themi që do të shpenzojmë më shumë, dhe pastaj, në zemër të NATO-s, të nisim një luftë tregtare,” ka thënë Macron.
“Kjo është një absurditet. Prandaj është shumë e rëndësishme të rikthehemi tek ajo që duhet të jetë rregulli mes të gjithë aleatëve – një paqë tregtare e vërtetë, që nënkupton uljen e të gjitha barrierave doganore që ekzistojnë ose që janë forcuar.”
Macron ka bërë të ditur se e ka diskutuar disa herë këtë çështje me Donald Trump dhe se tani ka ardhur koha që të marrë fund.