Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka pritur sot në takim Edmond Brahimaj, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve.
Rama ka shpërndarë disa fotografi nga takimi, edhe ka shkruar se janë duke forcuar lidhjet me Tiranën.
“Forcojmë lidhjet me Tiranën bashkë bëhemi qendër rajonale për diplomaci dhe bashkëpunim ndërkulturor! Sot, pata kënaqësinë të mirëpres Hirësinë e Tij Edmond Brahimaj, Kryegjyshin Botëror të Bektashinjve, me të cilin nënshkruam një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi në fushat e diplomacisë ndërfetare, turizmit kulturor, arsimit dhe fuqizimit të të rinjve”, ka pohuar ai.
Ai ka shtuar tutje se “Në kuadër të kësaj nisme, Prishtina do të mbështesë 20 të rinj me bursa për diplomaci ndërkombëtare , duke krijuar ura të reja komunikimi dhe mirëkuptimi mes kulturave dhe besimeve të ndryshme”.
“Me këtë marrëveshje, Prishtina bëhet bashkë-organizatore e “Forumit Ndërkombëtar për Diplomaci Ndërfetare”, duke forcuar pozicionin e saj si një aktor aktiv në proceset rajonale dhe evropiane të bashkëpunimit ndërkulturor dhe paqebërës”, shtoi Rama.