Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një konferencë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte nga Haga, ka mirëpritur angazhimin e vendeve të NATO-s për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).
“Kam vite që po kërkoj të shkojnë në 5%. Dhe tani po shkojnë në 5% – kjo është një rritje e madhe nga 2%, dhe shumë vende as nuk po e përmbushnin atë 2%. Kështu që ky është një lajm shumë i madh,” ka thënë Trump.
Ndërkohë, Rutte, e ka vlerësuar rolin e Trumpit për këtë zhvillim duke thënë se, pa të kjo nuk do të kishte ndodhur. Ai ka shtuar se me këtë nivel shpenzimesh, evropianët dhe kanadezët do të barazojnë kontributin e tyre me atë të Shteteve të Bashkuara.
“Kjo nuk ka të bëjë me taksapaguesit amerikanë që paguajnë më shumë; ka të bëjë me evropianët dhe kanadezët që paguajnë më shumë. Dhe përsëri – kjo nuk do të kishte ndodhur pa presidentin Trump. E them publikisht, edhe nëse disa më kritikojnë, por kur flas privatisht me ta, të gjithë më thonë: ‘Ke të drejtë.’”
Në anën tjetër, Trump i pyetur për përkushtimin e tij ndaj Nenit 5 të NATO-s, i cili garanton mbrojtjen kolektive të anëtarëve, u përgjigj shkurtimisht duke thënë: “Ne jemi me ta deri në fund.”