Një fat në fatkeqësi të mundshme ka ndodhur dje gjatë ditës në Skenderaj, ku qytetari Sali Zajmi është shndërruar në hero. Krejt kjo pasi i njëjti ia shpëtoi jetën një 4-vjeçari, raporton GazetaDemos.
Intervenimi i Zajmit erdhi në momentin kur e kishte vërejtur se 4-vjeçari kishte dalë papritur në rrugë, teksa një veturë po vinte në drejtim të tij.
Sali Zajmi është kontaktuar nga GazetaDemos, teksa shkurt tha se ndjehet mjaft i lumtur që i njëjti gëzon shëndet të plotë.
“Jam shumë i lumtur që Akili është me mua sot në mëngjes”, tha ai.
Për rastin ka shkruar edhe deputetja e betuar e PDK-së, Blerta Deliu, e cila shprehu mirënjohje për Zajmin, teksa vlerësoi guximin e të njëjtit.
“Një moment që mund të kishte përfunduar në tragjedi, por u shpëtua nga guximi i një njeriu me zemër të madhe. Sot në Skenderaj u shpëtua një jetë. Salih Zajmi reagoi në çast dhe e shpëtoi një fëmije 4 vjeçar nga një aksident i mundshëm. Guximi yt, Salih, është frymëzim për të gjithë ne”, ka shkruar ajo.