Një raport i fundit i ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë thekson se tensionet e vazhdueshme dhe situata e brishtë në veri vazhdojnë të ndikojnë negativisht në stabilitetin e përgjithshëm të Kosovës, duke penguar jo vetëm përparimin në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë, por edhe duke kufizuar aftësinë e institucioneve të Kosovës për të përfituar në mënyrë të plotë nga iniciativat e Bashkimit Evropian.
“Njëzet e pesë vjet pas përfundimit të konfliktit, ka pak progres në drejtim të pajtimit mes Beogradit dhe Prishtinës, dhe midis komuniteteve brenda Kosovës. Situata në Kosovë vazhdon të jetë pjesë e agjendës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kriza që karakterizon veriun e Kosovës i pengon investimet e huaja, zhvillimin e qëndrueshëm, bashkëpunimin dhe integrimin rajonal”, shkruan në dokumentin 40-faqesh.
Në raport përmenden edhe çështjet kyçe që kanë ndikuar në bllokimin e procesit të dialogut dhe kanë çuar në një ngritje të polarizimit mes palëve, duke filluar nga mosmarrëveshjet rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Bllokadat politike rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, njohja reciproke ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe mospërfshirja e nënshkrimeve të palëve në Marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit të vitit 2023, kanë shërbyer më shumë për t’i polarizuar sesa për t’i normalizuar marrëdhëniet”.
“BE-ja e ka mbajtur Kosovën përgjegjëse për përshkallëzimin e tensioneve në veri dhe ka vendosur masa në qershor 2023, përfshirë pezullimin e ndihmës për zhvillim. Këto masa nga donatori më i madh i Kosovës kanë një efekt stagnues në përpjekjet e saj për të arritur qëllimet e Agjendës 2030”, kujton mes tjerash raporti i ekipit të OKB-së.
E megjithëse Kosova ka shënuar progres në zhvillimin demokratik, sidomos nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe tranzicionit paqësor të pushtetit, sipas raportit të OKB-së, ajo është përballur me cenueshmëri sociale, ekonomike dhe mjedisore, krahas problemeve në sektorin e arsimit, kujdesit shëndetësor, barazisë gjinore dhe krizës klimatike.