Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë hedhur poshtë mocionin e paraqitur nga mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi, me të cilin kontestohej juridiksioni në rastin për administrimin e drejtësisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Speciales, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka konstatuar se çështjet e ngritura nuk përbënin kundërshtime juridiksionale. Po ashtu, u refuzuan pretendimet se procedurat do të duhej të ishin nisur nga Trupi Gjykues II dhe se caktimi i gjykatësit kishte shkelur Ligjin.
“Gjykatësi i Procedurës Paraprake hodhi poshtë mocionin paraprak të dorëzuar nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, që ngre kundërshtime lidhur me juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Gjykatësi konstatoi se çështjet e ngritura nuk përbënin kundërshtime juridiksionale dhe hodhi poshtë të dy argumentet e Mbrojtjes: se procedurat duhej të ishin nisur nga Trupi Gjykues II dhe se caktimi i Gjykatësit të Procedurës Paraprake ishte në shkelje të Ligjit”, njofton Specialja.