Kryemininistri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova është në “përkrahje” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
Ai shkroi se “Republika e Kosovës përkrah qëndrimin e ShBA-ve dhe të Bashkimit Evropian rreth programit të Iranit për t’u pajisur me armë nukleare”, në një postim në Facebook.
“Siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin. Posaçërisht kur shtete autoritare zhvillojnë programe për pajisje me armatim nuklear, kjo çështje bëhet urgjente dhe alarmuese”, shkroi Kurti.
“ShBA-të”, Kurti tha se “janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special”.
“Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike. ShBA-të janë superfuqia demokratike që duhen mbështetur”, shkroi ai.