Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është nominuar për Çmimin Nobel për Paqen të këtij viti nga Pakistani, për “ndërhyrjen e tij vendimtare diplomatike” në krizën e vendit me Indinë dhe parandalimin e një konflikti potencialisht katastrofik.
“Në një kohë trazirash të shtuara rajonale, Donald Trump demonstroi largpamësi të madhe strategjike dhe aftësi të jashtëzakonshme politike përmes një angazhimi të fortë diplomatik si me Islamabadin ashtu edhe me Nju Delhin, gjë që çtensionoi një situatë që po përkeqësohej me shpejtësi, duke siguruar në fund një armëpushim dhe duke parandaluar një konflikt më të gjerë midis dy shteteve të armatosura me armë bërthamore që do të kishte pasur pasoja shkatërruese për miliona njerëz”, tha qeveria pakistaneze në një postim në X (ish Twitter).
“Kjo ndërhyrje është provë e rolit të tij si një paqebërës i vërtetë dhe e angazhimit të tij për zgjidhjen e konflikteve përmes dialogut”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Duke folur me gazetarët në Morristown, New Jersey, Presidenti i SHBA-së Donald Trump pohoi se duhej t’i ishte dhënë Çmimi Nobel për Paqen “4-5 herë” në të kaluarën, por “ata ua japin atë vetëm liberalëve”.