Partia Demokratike e Kosovës po mban sot Konventën e saj të 11-të të Përgjithshme, ku pritet të zgjidhen kryetari i partisë dhe përbërja e re e Kryesisë. I vetmi kandidat për kryetar është lideri aktual, Memli Krasniqi.
Gjatë fjalimit të tij para delegatëve, Krasniqi e cilësoi këtë konventë si një thirrje për vazhdimësi dhe bashkim, duke kujtuar sfidat që partia ka përballuar gjatë viteve të fundit, përfshirë mungesën e figurave qendrore si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
“Kjo konventë është thirrje për të vazhduar rrugën e bashkimit dhe fuqizimit, ashtu siç i kaluam të gjitha sfidat nga shkuarja e Thaçit dhe Veselit në Hagë, dolëm fitues të zgjedhjeve lokale në vitin 2021, dhe morëm rreth 200 mijë vota në zgjedhjet e 9 shkurtit me Bedri Hamzën kandidat për kryeministër”, tha ai.
Krasniqi theksoi se PDK është në rritje dhe se kjo rritje kërkon stabilitet dhe unitet.
“Ky mandat mbaroi, por puna jo. PDK është në rritje, dhe rritja kërkon stabilitet. Po përgatitemi për fitore, dhe fitorja kërkon unitet. Prandaj, kërkoj mbështetjen tuaj për të vazhduar si Kryetar i juaji edhe në sfidat që i kemi përpara. Jo për pozitën, por për misionin. Jo për veten, por për rrugën që duhet ta ndjekim së bashku. Sepse punët që na presin: fitorja në zgjedhjet lokale, udhëheqja e qeverisë së ardhshme, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, kthimi i Kosovës në partner serioz ndërkombëtar, nuk mund të presin. Dhe ne duhet të jemi ata që i udhëheqin”, u shpreh ai.
Duke përmbledhur arritjet gjatë katër viteve të fundit, ai përmendi anëtarësimin në rrjete ndërkombëtare të partive liberale, përfshirjen e grave në vendimmarrje dhe fuqizimin e të rinjve brenda partisë.
“PDK u ngrit, u anëtarësua në rrjetin e familjeve evropiane dhe botërore të partive liberal-demokrate, organizoi Konventën 50/50 për fuqizimin dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje, fuqizoi Rininë Demokratike të Kosovës, ku sot kryetarja e saj Arbnora është deputete”, tha Krasniqi.
Ai nënvizoi se PDK nuk e ka kufizuar veprimin e saj vetëm në fushën politike, por ka qenë zë i përgjegjshëm dhe i qëndrueshëm në Kuvend.
“Ne nuk flasim vetëm për të ardhmen. Ne duam ta projektojmë të ardhmen. Në Kuvendin e Kosovës kemi qenë zëri i maturisë dhe përgjegjësisë. Kemi dialoguar kur ka pasur mundësi, dhe kemi kundërshtuar kur ka qenë e nevojshme. Por, asnjëherë nuk kemi bërë kompromis me parimet tona. Kemi rrëzuar një numër të madh ligjesh në Gjykatën Kushtetuese, që cenonin interesin publik, të punëtorëve, familjeve dhe të vetë Republikës së Kosovës. Por, suksesin më të madh e arritëm me 9 shkurt: Kthimin e pluralizmit në Kosovë, e shpëtuam Republikën nga monizmi dhe nga sundimi njëpartiak”, deklaroi ai.
Krasniqi vuri theksin te bashkimi i partisë dhe mobilizimi për zgjedhjet e ardhshme.
“Kauza jonë është Kosova. Kauza jonë është zhvillimi. Kauza jonë është e ardhmja. Dhe ne do ta ndërtojmë atë – së bashku”, tha ai.
Ai bëri të ditur se PDK në zgjedhjet lokale të 12 tetorit nuk do të garojë vetëm për të ruajtur komunat që aktualisht udhëheq, por synon edhe fitoren në komuna të tjera.
“Bedri Hamza, Agim Aliu, Shaqir Totaj, Fadil Nura, Ramiz Lladrovci, Ferit Idrizi, Besim Ilazi, Mehmeti Ballazhi, por edhe Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, janë shndërruar në kampionë të qeverisjes së mirë gjithandej Kosovës: Nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim! Ata janë kampionë të zhvillimit, transparencës dhe rezultateve, të konfirmuara e shpërblyera për këtë gjë”, tha Krasniqi.
Duke folur për tranzicionin brenda partisë, ai u shpreh se gjeneratat e reja do të kenë hapësirë, por edhe mbështetjen e vazhdueshme të strukturave ekzistuese.
“Tani, unë e kuptoj që vjen një periudhë ku secili person politik, për një arsye ose tjetër, ndjen se ka ardhur koha që t’u krijojë hapësirë gjeneratës së re. Dhe, natyrisht, për ta, ne do të kemi gjithmonë vetëm mirënjohje dhe falënderim, që kanë përfaqësuar me dinjitet identitetin e Partisë Demokratike të Kosovës. Por, po ashtu, zotohemi bashkë këtu se do të punojmë pa ndalur të gjithë për t’i mbështetur kandidatët dhe kandidatet tona në zgjedhjet e kësaj vjeshte, me bindjen se shërbimi i tyre për qytetarët do të jetë shembulli me të cilin do të mburremi bashkë”, theksoi ai.