Banorët e disa zonave të Prishtinës dhe rrethinës mund të përballen sot me çrregullime në furnizimin me ujë të pijshëm, si pasojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe turbullirës së ujit në kanalet furnizuese.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka bërë të ditur se ndërprerja e rrymës në Impiantin e Trajtimit të Ujit në Badoc, e cila pritet të zgjasë deri në orën 16:00 për shkak të punimeve nga KEDS, ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e furnizimit.
Si rezultat, pa ujë të pijshëm janë zonat Kishnica, Sushica, Badoci dhe fshatrat Janjevë e Gushtericë, të cilat ndodhen në territorin e Komunës së Lipjanit, ku gjithashtu mungon energjia elektrike.
Ndërkohë, edhe Impianti në Shkabaj është duke operuar me kapacitet minimal për shkak të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit, e shkaktuar nga punimet që po zhvillohen atje.
KRU “Prishtina” ka theksuar se, pavarësisht se rezervuarët janë aktualisht të mbushur, rryma e pamjaftueshme mund të ndikojë në shpërndarjen e ujit në disa zona të kryeqytetit dhe më gjerë.
“Aktualisht rezervuarët janë të mbushur, por mund të ketë çrregullime të furnizimit me ujë në Mati 1, Bregu i Diellit, Graçanica dhe Hajvalia që ndërlidhen me mungesën e energjisë elektrike në Badoc, me ç’rast atje jemi duke trajtuar ujë me gjeneratorë. Po ashtu për shkak të punimeve në kanalin e Ibër Lepencit, Drenasi aktualisht nuk është duke trajtuar ujë për pije”, thuhet në njoftimin e kompanisë.