Kompania private “KESCO”, ka bërë të ditur se aktualisht KEK-u është duke prodhuar energji elektrike në sasi të kufizuar vetëm nga njësia A3.
Përveç 110 megavatëve që po prodhohen sot nga KEK-u, e gjitha sasia tjetër e kërkesës për energji elektrike, shkruan KESCO, do të mbulohet përmes importit të energjisë.
“KESCO njofton publikun se prodhimi vendor i energjisë elektrike vazhdon të jetë i kufizuar. Njësia A3 është duke prodhuar rreth 110 megavatë sot, ndërsa pjesa tjetër e kërkesës do të mbulohet përmes importit të energjisë.
Në të njëjtën kohë, konsumi i përgjithshëm ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit, kryesisht për shkak të përdorimit më të madh të kondicionerëve si pasojë e temperaturave të larta”, thekson njofitmi.
“Për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe pa ndërprerje, KESCO ka siguruar importet e nevojshme nga tregjet ndërkombëtare dhe po vazhdon të punojë intensivisht për të përmbushur nevojat në rritje për energji.
I bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që të ndihmojnë në kursimin e energjisë, veçanërisht përmes përdorimit më efikas të pajisjeve për ftohje. Çdo kilovat-orë i kursyer ndihmon në lehtësimin e ngarkesës në sistem dhe ul koston e përgjithshme të energjisë — duke përfituar të gjithë nga kjo”, përfundon njoftimi.