Sot, duke filluar nga ora 10:00 do të mbahet Provimi i Maturës Shtetërore. Provimit do t’i nënshtrohen 18.800 maturantë kurse rezultatet do të bëhen publike më së largu deri më 30 qershor.
Pak para fillimit të provimit, ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ju ka bërë thirrje nxënësve të respektojnë rregullat dhe të tregojnë përgjegjësi e integritet.
Postimi i saj:
Të dashur maturantë,
Ju uroj nga zemra shumë suksese në provimin e Maturës Shtetërore! Ky test nuk është vetëm një vlerësim i njohurive, por edhe një dëshmi e përgatitjes suaj për sfidat që ju presin më tej.
Për të pasur një proces të drejtë është e rëndësishme që të respektoni rregullat. Jam e bindur se do të tregoni përgjegjësi dhe integritet.
Shkoni drejt provimit me qetësi, besim dhe krenari për gjithçka që keni arritur. Ne jemi me ju dhe do të vazhdojmë t’ju mbështesim në çdo hap.
Suksese dhe ju priftë e mbara!