Dy shtetas shqiptarë, babë e bir, janë shpëtuar në kohë nga Policia Kufitare në liqenin e Pogradecit në Shqipëri, pasi rrezikoheshin të mbyteshin për shkak të motit të keq, raporton Gazeta Sinjali.
Ata kishin dalë me varkë për peshkim, por nuk kishin mundësi të ktheheshin në breg për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, telefonata për ndihmë është pranuar në sallën operative të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Korçë. Menjëherë pas marrjes së informacionit, u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare me mjetin lundrues “Skaf”, të cilat arritën të lokalizojnë varkën rreth 1.5 milje larg bregut.
Pas ndërhyrjes së suksesshme, të dy shtetasit u kthyen të sigurt në mol, ndërsa gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Ata kanë falënderuar Policinë për reagimin e shpejtë dhe profesionalizmin e treguar në këtë situatë të rrezikshme.
Policia Kufitare thekson se mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, duke ftuar këdo që ndodhet në nevojë të telefonojë në numrin pa pagesë 112.