Ministrat e Punëve të Jashtme të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar (E3), së bashku me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, u takuan me homologun e tyre iranian në Gjenevë këtë të premte.
Sipas njoftimit nga Bashkimi Evropian, ata ndanë shqetësimet e tyre të thella në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe përsëritën angazhimin e tyre të vendosur për sigurinë e Izraelit.
“Ata shprehën pikëpamjen e tyre se të gjitha palët duhet të përmbahen nga ndërmarrja e hapave që çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm në rajon dhe të gjejnë urgjentisht një zgjidhje të negociuar për të siguruar që Irani të mos marrë kurrë ose të mos fitojë një armë bërthamore”, thuhet tutje në njoftim,.
Ministrat e E3 dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian përsëritën shqetësimet e tyre të hershme në lidhje me zgjerimin e programit të tij bërthamor nga Irani, i cili nuk ka qëllim të besueshëm civil, në shkelje të pothuajse të gjitha dispozitave të Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA). Siç sqaron BE-ja, ata diskutuan edhe për rrugët drejt një zgjidhjeje të negociuar për programin bërthamor të Iranit, duke theksuar urgjencën e çështjes.
“Ata shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar diskutimin e të gjitha çështjeve që lidhen me programin bërthamor të Iranit dhe çështje më të gjera. Ata shprehën mbështetje të plotë për Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe e inkurajuan Iranin të bashkëpunojë plotësisht me Agjencinë në përputhje me angazhimet e saj ligjërisht të detyrueshme dhe në dritën e raportit të fundit të IAEA-s mbi zbatimin e detyrimeve të masave mbrojtëse në Iran”, thuhet në njoftim.
U nda dhe mbështetja e tyre për vazhdimin e diskutimeve dhe mirëpritën përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të kërkuar një zgjidhje të negociuar. Në fund u shpreh edhe gatishmëria e tyre për t’u takuar përsëri në të ardhmen.