Zvicra ka njoftuar se do të largojë një pjesë të konsiderueshme të sanksioneve ekonomike që kishin qenë në fuqi kundër Sirisë, përfshirë ato ndaj Bankës Qendrore të këtij vendi, pas ndryshimeve politike të ndodhura në fund të vitit të kaluar.
Pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor të vitit 2024 dhe vendosjes së një qeverie të re të udhëhequr nga Ahme dal-Sharaa, autoritetet zvicerane kanë vendosur të lehtësojnë masat kufizuese, duke ndjekur shembullin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së.
Sipas Reuters, Këshilli Federal – organi qeverisës i Zvicrës – ka bërë të ditur se do të mbesin në fuqi vetëm sanksionet ndaj individëve dhe entiteteve të lidhura me regjimin e mëparshëm.
“Qëllimi i këtij vendimi është të nxitet rimëkëmbja ekonomike e vendit dhe një tranzicion politik gjithëpërfshirës dhe paqësor”, thuhet në deklaratën zyrtare të Këshillit.
Vendimi përfshin heqjen e kufizimeve në ofrimin e shërbimeve të caktuara financiare, tregtinë e metaleve të çmuara dhe eksportin e mallrave luksoze. Për më tepër, nga lista e zezë janë hequr 24 entitete, përfshirë Bankën Qendrore të Sirisë.