Partia Shqiptare Demokristiane në Gjakovë ( PSHDK ), ka njoftuar se kanë shkëputur bashkëpunimin pë koalicion me AAK-në në komunën e Gjakovës.
Nga kjo parti kanë arsyet se pse kanë ardhur deri tek ky vendim.
“Pas një analize të kujdesshme, të thelluar dhe të bazuar në realitetin politik dhe institucional të komuës sonë, Kryesia e degës së PSHDK-së në Gjakovë, në bashkërendim me strukturat e saj organizative, ka marrë vendimin për të shkëputur përfundimisht bashkëpunimin dhe koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të udhëhequr nga Ardian Gjini në këtë komunë”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Të nderuar anëtarë dhe përkrahës të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës – Dega në Gjakovë,
Pas një analize të kujdesshme, të thelluar dhe të bazuar në realitetin politik dhe institucional të komuës sonë, Kryesia e degës së PSHDK-së në Gjakovë, në bashkërendim me strukturat e saj organizative, ka marrë vendimin për të shkëputur përfundimisht bashkëpunimin dhe koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës të udhëhequr nga Ardian Gjini në këtë komunë.
Ky vendim është i pashmangshëm dhe i drejtë, si pasojë e një varg shkeljesh të thella të marrëveshjes së bashkëqeverisjes – marrëveshje të cilën partneri ynë politik e ka shpërfillur plotësisht, duke dështuar në themel të bashkëqeverisjes dhe duke shkelur çdo parim të partneritetit të nënshkruar bashkë.
Fatkeqësisht, partneri ynë politik ka vepruar në mënyrë të njëanshme e të paarsyeshme, duke ndërmarrë:
– Investime joracionale dhe diskriminuese;
– Shpërdorim të buxhetit komunal për interesa të ngushta klienteliste;
– Shkelje të hapur të marrëveshjes në fushën e ndarjes së buxhetit (pika 3.3), të ndërmarrjeve publike, arsimit, shëndetësisë dhe më gjerë;
– Dëmtim të pronës komunale dhe cenim të interesit publik.
Për më tepër, kemi qenë dëshmitarë të një fushate sistematike dhe të qëllimshme për të njollosur imazhin e partisë sonë përmes margjinalizimit të drejtorëve dhe asambleistëve tanë, duke i shndërruar institucionet publike në vegla të luftës personale dhe jo të shërbimit qytetar.
Partia Shqiptare Demokristiane në Gjakovë mbetet e përkushtuar ndaj qytetarit, ndaj etikës në qeverisje dhe ndaj shtetndërtimit të ndershëm – qoftë në nivelin lokal, qoftë në atë qendror.
Në ditët në vijim, ne do të komunikojmë më gjerësisht me opinionin publik për arsyet e këtij vendimi. Ndërkohë, ju sigurojmë se PSHDK-ja do të vazhdojë me angazhim edhe më të madh në terren, duke ndërtuar një alternativë politike që përfaqëson interesin e qytetarëve dhe jo të grupeve të interesit.
Me respekt,
Kryesia e Degës së PSHDK-së në Gjakovë