Kancelari gjerman Friedrich Merz ka ndezur debat të ashpër politik në Berlin, pas një deklarate të bërë në një intervistë për ZDF, ku tha se “Izraeli po bën punën e pistë për të gjithë ne në Iran”.
Kjo deklaratë ka shkaktuar reagime të forta në spektrin politik gjerman, përfshirë kritika nga SPD-ja, të Gjelbrit, Partia e Majtë dhe aleanca e Sahra Wagenknecht. Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, e cilësoi këtë deklaratë si “acarim” të panevojshëm dhe shqetësues në një moment tensioni global.
Merz e bëri deklaratën gjatë samitit të G7 në Kanada, pasi moderatorja e ZDF, Diana Zimmermann, përdori termin “punë e pistë” në një pyetje. “Kjo është puna e pistë që Izraeli bën për të gjithë ne. Ky regjim mullahësh ka sjellë vdekje dhe shkatërrim në botë”, tha Merz, duke shtuar se është “mirënjohës” që Izraeli po ndërmerr veprime kundër regjimit iranian.
Pavarësisht kritikave, Merz deklaroi nga Berlini se “shumica e njerëzve” e kanë mirëpritur qëndrimin e tij dhe se ai nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga deklaratat. Ndërkohë, reagimet politike dhe publike ndaj fjalëve të tij vazhdojnë të zgjerojnë debatin për rolin e Gjermanisë në çështjet e sigurisë në Lindjen e Mesme.