Programi bërthamor i Iranit është i shpërndarë në disa lokacione. Kërcënimi i sulmeve ajrore izraelite ka qenë i pranishëm për dekada të tëra, dhe prandaj disa prej objekteve bërthamore janë të vendosura nën tokë.
Irani e ka zgjeruar programin e tij të pasurimit të uraniumit, duke zvogëluar kohën që do t’i duhej për të prodhuar uranium të mjaftueshëm për një bombë bërthamore.
“Kaq shumë vite pas asaj tërheqjeje, periudhë në të cilën SHBA-në vendosi sanksione ndaj ekonomisë iraniane, Irani ka avancuar ndjeshëm programin e tij. Po pasuron uraniumin në nivele më të larta,” tha Sanam Vakil, Drejtori i Programit të Lindjes së Mesme në “Chatham House”.
Irani tani po pasuron uranium me pastërti 60%, afër 90% të gradës së armëve, në dy vende. Në teori ka material të mjaftueshëm të pasuruar deri në atë nivel për gjashtë bomba, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Natanz, që ndodhet në jug të Teheranit, përmban dy uzina pasurimi: Impiantin e madh nëntokësor të Pasurimit të Karburantit (FEP) dhe Impiantin Pilot mbitokësor të Pasurimit të Karburantit (PFEP).
Një grup opozitar iranian zbuloi në vitin 2002 se Irani po ndërtonte fshehurazi Natanzin, duke ndezur një debat midis Perëndimit dhe Iranit për shkak të qëllimeve të tij bërthamore, që vazhdon edhe sot.
“Izraeli po kërkon që Irani të heqë dorë plotësisht nga programi i tij bërthamor. Kjo është diçka që Irani nuk ka gjasa ta bëjë. Arsyeja pse Irani nuk do të heqë dorë nga ky program është se e sheh veten të cenueshëm ndaj sulmit izraelit,” tha Sanam Vakil.
Irani ka një qendër të madhe të teknologjisë bërthamore në periferi të Isfahanit, qytetit të dytë më të madh. Ai përfshin Uzinën e Fabrikimit të Pllakave të Karburantit (FPFP) dhe Uzinën e Konvertimit të Uraniumit (UCF), që mund të përpunojë uraniumin në heksafluorur uraniumi, i cili futet në centrifuga. Në Isfahan ka pajisje për të prodhuar uranium metalik, që mund të përdoret për të ndërtuar bërthamën e një bombe bërthamore.
Në Iran ka edhe një reaktor kërkimor me ujë të rëndë, të ndërtuar pjesërisht, fillimisht të quajtur Arak dhe tani Khondab. Reaktorët me ujë të rëndë paraqesin rrezik sepse mund të prodhojnë lehtësisht plutonium, i cili, ashtu si uraniumi i pasuruar, mund të përdoret për të bërë bërthamën e një bombe atomike. Sipas marrëveshjes së vitit 2015, ndërtimi u ndal, bërthama e reaktorit u hoq dhe u mbush me beton për ta bërë të papërdorshëm.
I vetmi central bërthamor në funksion i Iranit, në bregdetin e Gjirit, ndodhet në Bushehr dhe përdor karburant rus./tvklan