Në një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë realizuan sot për herë të parë një seancë gjyqësore përmes videolidhjes.
I burgosuri nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan u paraqit në seancë nëpërmjet pajisjeve të teknologjisë së lartë audio-vizuale, ndërsa seanca u udhëhoq nga një gjyqtare nga ambientet e Gjykatës në Prishtinë.
Kjo mënyrë e re e mbajtjes së seancave ka për qëllim të lehtësojë proceset gjyqësore duke eliminuar nevojën për transport fizik të të paraburgosurve, të rrisë nivelin e sigurisë dhe të sjellë efikasitet më të madh në procedurat ligjore.
Pajisjet e përdorura për këtë proces janë dhuratë nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL), e cila po mbështet Kosovën në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe të sistemit korrektues.
Autoritetet shprehën besimin se kjo praktikë do të zgjerohet në të ardhmen, duke kontribuar në një drejtësi më efikase, të sigurt dhe të qasshme për të gjithë.