Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se deri në pasditen e sotme ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për përfshirjen e mundshme të ShBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit.
Trumpi tha se së shpejti do të mblidhet me ekipin e tij në Dhomën e Situatave bashkë me zyrtarët kryesorë amerikanë për t’i diskutuar opsionet.
“Kam disa ide se çfarë të bëj, por nuk kam marrë një vendim përfundimtar. M më pëlqen ta marr vendimin e fundit një sekondë para afatit, sepse gjërat ndryshojnë. Dua të them, sidomos në luftë, gjërat ndryshojnë. Mund të shkojë nga një ekstrem në tjetrin”, i tha Trumpi gazetares së CNN-it.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse regjimi iranian bie, Trumpi tha se ka një plan për gjithçka, por “ka ende rrugë për të bërë” dhe se sipas tij, Irani “do duhej të kishte bërë” një marrëveshje bërthamore.
Trump përsëri sugjeroi se Irani “dëshiron të vijë në Shtëpinë e Bardhë” , teksa tha se nuk e ka mbyllur derën për një takim me ta.