Që nga viti 2021 deri në vitin 2024, mbi 142 mijë qytetarë të Kosovës u larguan drejt vendeve më të zhvilluara në kërkim të një jete më të mirë, si arsyeja dominuese që vazhdon të ushqejë valën e emigrimit masiv.
Që nga viti kur Kurti mori udhëheqjen e Qeverisë për të dytën herë, nga Kosova kanë emigruar gjithsej 142,976 qytetarë, ndërkohë që në vend kanë imigruar (janë kthyer) vetëm 29,675 qytetarë.
Diferenca është shqetësuese, Kosova rezulton se ka një humbje neto – duke përjashtuar shtimin e popullsisë nga lindjet e reja – prej 113,301 banorësh në më pak se gjysmë dekade.
Ikja masive nga vendi, që mban titullin e zymtë si vendi me të ardhurat më të ulëta për kokë banori në Evropë, ndodh kryesisht për dy arsye kristal të qarta: papunësinë dhe krizën e kostos së jetesës. Këta faktorë lidhen indirekt edhe me arsye të tjera si bashkimi familjar.
Kriza e kostos së jetesës, mungesa e mundësive reale dhe papunësia janë theksuar vazhdimisht nga raportet ndërkombëtare si shtytësit kryesorë të valës së emigrimit nga Kosova.
Shifrat
Viti | Imigrimi (Hyrjet) | Emigrimi (Daljet) | Bilanci Neto |
---|---|---|---|
2024 | 9,038 | 37,451 | -28,413 |
2023 | 5,850 | 21,244 | -15,394 |
2022 | 10,665 | 41,553 | -30,889 |
2021 | 4,122 | 42,728 | -38,606 |
TOTALI | 29,675 | 142,976 | -113,301 |
Viti 2021 ishte më i rëndi për nga bilanci migrator, me një humbje neto prej minus 38, 606 personash. Emigrimi në atë vit arriti shifrën 42,728, ndërsa imigrimi ishte vetëm 4 mijë e 122.
Në vitin 2022, emigrimi mbeti në shifraa të larta me 41,553 persona, ndërsa imigrimi u rrit në 10,665.
Viti 2023 solli një rënie të përkohshme të emigrimit – vetëm 21,244 persona u larguan, ndërkohë që 5,850 imigruan, duke krijuar bilancin më të ulët negativ për këtë periudhë (-15,394).
Megjithatë, trendi negativ u rikthye në 2024, kur 37,451 qytetarë u larguan nga vendi dhe vetëm 9,038 imigruan në Kosovë, duke krijuar një deficit prej -28,413 banorësh për një vit të vetëm.
Sipas raportit “Migrimi dhe zhvillimi ekonomik në vendet e ballkanit perëndimor: Dëshmi nga Kosova”, i Institut GAP, Kosova vazhdon të jetë në trend rritës të emigrimit për shkak se tregu i punës nuk është në gjendje të absorbojë numrin e lartë të punëkërkuesve.
Në këtë kontekst, Gjermania del të jetë absorbuesi më i madh i kosovarëve për shkak të shkallës së lartë të varfërisë, papunësisë së lartë, shëndetësisë së dobët etj.
Raporti – i bazuar në të dhënat nga Zyra Federale e Statistikave të Gjermanisë për periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2022 – ofron një panoramë të zymtë mbi rritjen e numrit të qytetarëve me sfond migrimi nga Kosova që jetojnë në Gjermani dhe arsyet e tyre të emigrimit.
Raporti thekson se numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova në Gjermani është pothuajse dyfishuar në periudhën 2010-2022.
291 mijë ishte numri i qytetarëve me origjinë nga Kosova që jetojnë në Gjermani në vitin 2010. Vetëm 12 vite më pas, kjo shifër ka arritur në 542 mijë. Kjo përbën një rritje të theksuar prej 86 për qind gjatë pak më shumë se një dekade. / Nacionale.