Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj zyrtarit policor Remzi Pulaj, i cili dyshohet për keqtrajtim të një qytetari gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe lëndim të rëndë trupor.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësi i kësaj gjykate, Marcel Lekaj, i cili bëri të ditur se masa e paraburgimit ndaj të dyshuarit mund të zgjasë deri më 15 korrik 2025.
Në përgjigjen e Lekajt thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake, duke vlerësuar kërkesën e Prokurorit të Shtetit, shkresat e lëndës dhe provat materiale të grumbulluara deri në këtë fazë, ka gjetur se kërkesa për caktimin e paraburgimit është e bazuar.
Ai shtoi se Gjykata, me rastin e caktimit të paraburgimit, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për këtë masë, duke u mbështetur në provat e mbledhura deri më tani.
“Caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në fazën hetimore, pasi që është faza fillestare e hetimit, dhe me lënien në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë. Kjo do të pengonte dhe vështirësonte sigurimin e provave në fazën hetimore. Po ashtu, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale dhe mënyrën në të cilën dyshohet të jenë kryer, me sjelljet e tij dyshohet se i ka tejkaluar autorizimet ligjore në dëm të shoqërisë. Me rastin e arrestimit të të dëmtuarit S.F., i dyshuari e ka keqtrajtuar, duke e goditur në regjionin e kokës, ku i dëmtuari ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të gjitha këto e bindin Gjykatën se caktimi i paraburgimit është më se i nevojshëm”, thuhet në përgjigje.
Gjykata ka arritur në përfundimin se masa e paraburgimit në këtë fazë është e arsyeshme dhe e domosdoshme, me qëllim të sigurimit të prezencës së të pandehurit në procedurë dhe mbarëvajtjes së pa penguar të hetimeve.