Me sulmet ajrore izraelite që nuk po shfaqin asnjë shenjë ngadalësimi edhe pas gjashtë ditësh, mijëra njerëz po ikin nga Teherani, duke shkaktuar kolona të gjata në trafik dhe mungesë të karburanteve, teksa ata po drejtohen nga veriu në kërkim të strehimit në pjesë të vendit që shpresojnë se janë të sigurta. Për shumë prej tyre, zhvendosja brenda Iranit nuk është e mjaftueshme.
Pikat kufitare në veri – Irani ndan kufij në këtë rajon me Turqinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë – po vërshohen nga ata që po kërkojnë të largohen nga Irani nga frika se asnjë vend brenda Republikës Islamike më nuk është i sigurt.
Në Agarak, në pjesën armene të kufirit me Iranit, banorët lokalë thanë se ky pikëkalim tashmë është vërshuar me njerëz.
“Asnjë qytet nuk është i sigurt”, tha Amir Nikki për Shërbimin Armen të Radios Evropa e Lirë, “sepse ka [instalime] të ushtrisë dhe Gardës Revolucionare si dhe armë kudo”.
Nikki jeton në Mbretërinë e Bashkuar, por familja e tij jeton në Isfahan, në pjesën qendrore të Iranit, që gjendet afër ndërtesave bërthamore të cilat Izraeli po i sulmon në përpjekje për të neutralizuar programin bërthamor të Iranit.
Izraeli dhe shumë aleatë të tij perëndimorë e akuzojnë Iranin se po synon të prodhojë armë bërthamore. Teherani vazhdimisht ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime civile.
Sidoqoftë, familja e Nikkit është në mes të zjarrit.
“Ata janë shumë të shqetësuar. Ata gjenden në një situatë shumë stresuese. Nuk mund të marrin frymë, nuk mund të hanë, nuk mund të pinë. Janë të tronditur. Nuk mund të flenë”, tha ai pasi kaloi kufirin dhe hyri në Armeni, mbi 1.100 kilometra nga Isfahani.
Që kur Izraeli nisi sulme ajrore drejt caqeve në mbarë Iranin më 13 qershor, të dyja palët kanë këmbyer valë sulmesh që kanë goditur ndërtesat ushtarake dhe joushtarake në të dy shtetet, duke shkaktuar viktima.
Por, situata në Iran është dukshëm më e rëndë, duke pasur parasysh përparësinë ushtarake që ka Izraeli.
Dhuna e ka shtyrë mbarë Lindjen e Mesme – që veçse ka qenë e paqëndrueshme për shkak të luftës 20-mujore të Izraelit në Gazë – në prag të një lufte në shkallë të plotë.
Shumica e iranianëve që po ikin për në Armeni – gra dhe burra – shmangin prononcimet për media për shkak të frikës nga ndëshkimi nga regjimi islamik.
Shumica e atyre që po ikin nga Irani duket se janë gra dhe të moshuar.
Në pikëkalimin në Agarak, shoferët armenë të taksive tonë se po përballen me turma të mëdha njerëzish dhe po punojnë me ndërrime gjatë gjithë ditës, duke iu ofruar shërbime transportuese personave që po hyjnë në Armeni dhe që kanë nevojë të shkojnë në drejtime të ndryshme.
Ata thonë se jo vetëm iranianët janë ata që po e kalojnë kufirit. Edhe shumë qytetarë të shteteve të tjera po ikin nga lufta.
Numri i kalimeve kufitare “me gjasë do të rritet”
Korrespondentët e Shërbimit Armen të REL-it që raportojnë nga terreni, thanë se kanë parë grupe të qytetarëve aziatikë që po shkojnë në Armeni nga Irani.
Një person parashikoi se nëse konflikti mes Izraelit dhe Iranit vazhdon të përshkallëzohet, numri i personave që do të hyjnë në Armeni “me gjasë do të rritet”.
Ismaili, i cili kërkoi që të mos i publikohej mbiemri, është një iranian që jeton në Gjermani.
Ai tha se është detyruar të udhëtojë drejt Agarakut, për shkak se fluturimet nga Irani janë anuluar për arsye sigurie.
Ai ka shpresë që luftimet nuk do të shndërrohen në një luftë të plotë, duke shtuar se ka frikë se si do të mund t’i prekte kjo familjarët e tij që janë ende brenda Iranit.
“Nuk mendoj që lufta po vjen. Amerika dhe Evropa do të bëjnë përpjekje për t’i dhënë fund armiqësive”, tha ai.
Deri atëherë, Ismaili tha se ajo çfarë mund të bëjë tani është të largohet nga vendi dhe të mbajë kontakte me familjarët e tij dhe të shpresojë që ata do të jenë të sigurt. /REL