Emri i deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Serbeze Kabashi- Muçaj, është përfolur në media. Për të u tha se ka zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, në objektin e qeverisë.
Gjithsesi, deputetja e LDK-së me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se qëndrimet e saj janë në përputhje me ato të grupit parlamentar të subjektit politik që përfaqëson.
“Unë nuk kam dhe nuk do të ushtroj asnjëherë votë individuale për ndonjë parti politike jashtë vullnetit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Vendimmarrja ime është dhe do të mbetet gjithmonë në përputhje të plotë me qëndrimet politike të LDK-së, përfshirë edhe rastet kur diskutohet apo vendoset për ndonjë koalicion të mundshëm. Jam e vendosur që të përfaqësoj me integritet dhe përgjegjësi besimin që më kanë dhënë qytetarët, dhe kurrë nuk do të veproj në kundërshtim me këtë besim”, tha pos tjerash ajo.