Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ndërprerjes së grevës së punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi”.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka nënvizuar mbështetjen që komuna ka për të drejtën e punëtorëve për punë dhe pagë.
“Gjatë kësaj periudhe që punëtorët janë në grevë – për çka shprehim keqardhje që kanë qenë të detyruar të jenë këtu – vazhdimisht i kemi pritur në Komunë dhe kemi zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësuesit e punëtorëve, për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur zgjidhje ligjore në të mirë të qytetarëve dhe punëtorëve të Ndërmarrjes, të cilët – sot edhe do ta ndërprejnë grevën!” ka shkruar Rama.
Kryetari i kryeqytetit tha se sot u pajtuan me punëtorët, por kjo nuk nënkupton se Komuna pajtohet me qasjen e menaxhmentit aktual të ndërmarrjes.
Sipas tij, ky menaxhment ka kontribuar në përkeqësimin e situatën me mbeturina në kryeqytet, përfshirë dhe dezinformimin e punëtorëve, për agjenda të caktuara politike.
“Prandaj, ne – sikurse që e kemi thënë para përfaqësuesve të punëtorëve të KRM “Pastrimi” – mbetemi të përkushtuar për zgjidhje të drejtë, ligjore dhe në shërbim të qytetarëve dhe punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”” shkroi Rama.
Ky është postimi i plotë i tij:
NDËRPRITET GREVA E PUNËTORËVE TË NDËRMARRJES “PASTRIMI”!
Të dashur qytetarë,
Qëndrimi ynë për punëtorët e Ndërmarrjes “Pastrimi” ka qenë gjithmonë i qartë:
Ne mbështesim të drejtën e punëtorëve për punë e pagë dhe kemi insistuar që të gjejmë zgjidhje që qytetarët të mos mbesin pa këtë shërbim jetik, e Kryeqyteti të mos mbulohet nga mbeturinat.
Për këtë arsye, qe disa seanca kemi kërkuar nga Kuvendi Komunal subvencionimin e pagave të tyre, si hap urgjent dhe i domosdoshëm, të cilin fatkeqësisht opozita vetë nuk e ka votuar.
Gjatë kësaj periudhe që punëtorët janë në grevë – për çka shprehim keqardhje që kanë qenë të detyruar të jenë këtu – vazhdimisht i kemi pritur në Komunë dhe kemi zhvilluar dhjetëra takime me përfaqësuesit e punëtorëve, për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe për të gjetur zgjidhje ligjore në të mirë të qytetarëve dhe punëtorëve të Ndërmarrjes, të cilët – sot edhe do ta ndërprejnë grevën!
Ne sot jemi pajtuar me punëtorët, por kjo nuk do të thotë se pajtohemi me qasjen e menaxhmentit aktual, i cili fatkeqësisht ka kontribuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës me mbeturina në Kryeqytet, përfshirë edhe dezinformimin e punëtorëve për agjenda të caktuara politike, dhe në këtë formë duke e lënë qytetin pa shërbim të mbledhjes së mbeturinave – gjë që ka rrezikuar edhe shëndetin publik në Kryeqytet.
Prandaj, ne – sikurse që e kemi thënë para përfaqësuesve të punëtorëve të KRM “Pastrimi” – mbetemi të përkushtuar për zgjidhje të drejtë, ligjore dhe në shërbim të qytetarëve dhe punëtorëve të Ndërmarrjes “Pastrimi”.
Ne kemi ofruar këto zgjidhje, të cilat kanë rezultuar të pranueshme edhe për punëtorët:
Jemi pajtuar që çështjen e pagesës së shërbimeve të kryera në muajt Janar – Maj ta adresojmë në Gjykatën kompetente dhe që kjo çështje të zgjidhet me marrëveshje – ndërmjetësim.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme, jemi pajtuar që KRM “Pastrimi” të bëjë inkasimin vet për shërbimin e ofruar të mbledhjes së mbeturinave.
Në kuadër të kësaj, mjetet e inkasuara nga Kryeqyteti gjatë kësaj periudhe, në afat të menjëhershëm të transferohen te Ndërmarrja “Pastrimi”.
Në fund, dëshiroj t’i njoftoj qytetarët e Prishtinës se të gjithë ata që kanë kryer pagesat gjatë këtij viti në Komunë, lista e pagesave do t’i përcillet Ndërmarrjes “Pastrimi” dhe pagesat e tyre do të njihen dhe pranohen!