Kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek, nesër do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervistim, ka konfirmuar sot Lista Srpska, raporton Kossev.
Sipas partisë së tij, Eleku do të intervistohet nesër në orën 13:30.
Për këtë kishte folur edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, i cili, siç raporton ky medium, është njoftuar fillimisht për thirrjen e Elekut nga Prokuroria Speciale e Kosovës pas takimit të fundit në Bruksel.
Siç ka konfirmuar në atë kohë Petkoviq, Eleku është thirrur për t’u paraqitur në prokurori më 10 qershor, për shkak të protestave dhe barrikadave në vitin 2022. Thirrje të ngjashme, tha ai, e kanë pranuar edhe Igor Simiq dhe serbë të tjerë, me akuza për “terrorizëm”.
Por, më pas data e intervistimit ishte shtyrë.
Ndërkaq, Lista Srpska ka konfirmuar sot se Eleku do t’i përgjigjet thirrjes dhe nesër do të shkojë në prokurori.
“Thirrjes Elek i përgjigjet si kryetar i Listës Srpska, kirurg pediatër i respektuar dhe njeri i ndershëm, thellësisht i vetëdijshëm për pastërtinë e tij juridike dhe morale, sepse nuk ka kryer asnjë vepër të kundërligjshme. Prandaj, ai vendosi të përgjigjet nga besimi në drejtësinë dhe paanshmërinë e kësaj procedure”, tha kjo parti, duke pretenduar më pas se kjo thirrje i “ka të gjitha shenjat dalluese të një procesi të montuar politikisht, të drejtuar kundër serbëve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”.
“Dhe e gjithë kjo për dallim nga Albin Kurti, i cili nuk i përgjigjet thirrjeve për marrje në pyetje dhe nuk mban përgjegjësi për këtë”.