Për paralajmërimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se “do ta zgjidh, sërish” çështjen e Kosovës dhe Serbisë, ka reaguar profesori dhe opinionisti politik, Valon Murati, duke pyetur se “ne a kemi plan?”.
“Pyetje të rënda për një shoqëri e sidomos politikë që nuk mund ta konstituojë Kuvendin që dy muaj e pas 32 përpjekjeve”, tha ai.
Postimi i plotë:
Trampi paska një plan! Po ne?
Lindja e Mesme në flakë. Luftës në mes të Rusisë dhe Ukrainës nuk i shihet fundi. Presidenti Tramp sot ndër konfliktet që i ka ndërmejtësuar me sukses e përmend edhe atë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Për më tepër kritikon administratën e kaluar se e ka dëmtuar procesin me disa “vendime të marra”. Ky deklarim i presidentit amerikan dëshmon për dy gjëra: se rajoni ynë dhe rrjedhimisht edhe raporti ynë me Serbinë nuk qenka aq i parëndësishëm siç pandehej. Dhe e dyta, ai paska gatishmëri jo vetëm t’i kthehet procesit të dialogut të Kosovës me Serbinë por duket se ka edhe një plan. Tash çështja që duhet ne ta shtrojmë me seriozitet si shoqëri është se a kemi ne gatishmëri të merremi seriozisht rreth kësaj çështjeje dhe a kemi ndonjë plan? Për më tepër a kemi ndonjë ide se çfarë mund të jetë plani i Trampit dhe cilat janë vendimet e administratës Biden që atij nuk i kanë pëlqyer? Sidoqoftë, këto duken pyetje të rënda për një shoqëri e sidomos politikë që nuk mund ta konstituojë Kuvendin që dy muaj e pas 32 përpjekjeve.