Pas përfundimit të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë me rezultat të barabartë 0-0, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke përgëzuar përfaqësuesen shqiptare për angazhimin dhe paraqitjen dinjitoze.
Kurti theksoi se përkundër pritjeve të mëdha dhe vëmendjes së jashtëzakonshme që kishte kjo ndeshje, Shqipëria tregoi përkushtim dhe luajti më mirë se kundërshtari. Ai u shpreh se me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, rezultati mund të kishte qenë ndryshe.
“Pritjet ishin të mëdha, vëmendja gjithashtu! Me pak më shumë fat në fund të pjesës së parë, mund të kishim marrë të tri pikët nga ndeshja. Andaj, barazimi na la të pakënaqur me rezultatin, por jo me Kombëtaren, e cila luajti më mirë se kundërshtari i saj”, shkroi Kurti.
Në përmbyllje të reagimit, ai shprehu besim të plotë se Shqipëria do ta përmbyllë me sukses këtë fazë kualifikuese për Kupën e Botës 2026.
“Në fund të këtyre kualifikimeve jemi të bindur se Shqipëria do të triumfojë.”
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, përballë një audience të zjarrtë, dhe përkundër tensioneve historike mes dy kombëtareve, u zhvillua pa incidente, duke përfunduar me një pikë për secilën skuadër.