Një autobus, të hënën pasdite u nis si rëndom nga Gjakova në Prishtinë.Por, përpos udhëtarëve e valixheve që janë të zakonshme, në bagazh kishte edhe diçka tjetër, kësaj radhe.
Konduktorit e shoferit, një grua ia la amanet një qese që ta dërgojnë deri në destinacionin final.Porosia u dërgua në Prishtinë, po atë nuk doli ta marrë kush.
Ajo u kthye në Gjakovë, me po të njëjtin autobus.Nga kurioziteti, shoferi e konduktori e hapën qesen për të parë çfarë ka në të.
Njëri e tjetri u habitën kur kuptuan se bëhet fjalë për diçka të veçantë.Ekipi i deminimit u thirr në vendngjarje dhe pas ekzaminiit konstatoi se bëhet fjalë për një imitim bombe, që nuk ishte e rrezikshme.
Ndërkaq nga kompania e udhëtimeve thanë se po dyshohet që ai mjet do të përdorej në një skenë artistike si jelek me instalacione.Nga Policia thanë se u morën veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes ndërsa konfirmuan se nuk ndaluan ndonjë të dyshuar.
Prokuroria po e trajton këtë rast si të mbyllur, pa elemente kriminale të qëllimshme, ani se fillimisht e konsideroi atë si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.