Pas vendimit të Kenias për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, Jetlir Zyberaj, zhvilloi sot një takim zyrtar në Nairobi me Sekretarin Kryesor të Kabinetit dhe Ministrin për Punë të Jashtme të Kenias, Musalia Mudavadi.
Në takim, Zyberaj falënderoi ministrin kenian për njohjen e shtetësisë së Kosovës dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kenia ka ofruar ndaj vendit në skenën ndërkombëtare. Të dy diskutuan për hapat e ardhshëm drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të plota ndërmjet dy vendeve dhe për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit, sigurisë dhe diplomacisë multilaterale.
Por ajo që i jep këtij zhvillimi një notë edhe më simbolike është fakti se njohja e Kosovës nga Kenia ndodhi pavarësisht përpjekjeve intensive të Serbisë për ta penguar këtë vendim. Mediat serbe dhe keniane kanë raportuar se si vetëm pak javë më parë, gruaja e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, Tamara Vuçiç, kishte vizituar Keninë në një mision të personal diplomatik, ku ishte pritur nga vetë ministri Mudavadi. Sipas raportimeve, qëllimi i vizitës ishte të ndikonte në qëndrimin e Kenias për të mos njohur Kosovën.
Përpjekja megjithatë dështoi.
Në fund të takimit, Zyberaj i përcolli ministrit Mudavadi një ftesë zyrtare për të vizituar Kosovën nga Presidenti Behgjet Pacolli, e cila u pranua me kënaqësi të veçantë.