Të enjten duke filluar nga ora 09:30 në në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e radhës kundër Sllavisha Filiq, i cili në mungesë akuzohet për krime lufte kundër popullsisë civile.
Në seancat paraprake janë dëgjuar disa dëshmitarë, të cilët kanë treguar ngjarjet në të cilat kanë marrë piesë e që implikohet edhe i akuzuari Filiq.
Ndryshe, më 15 shtator 2023 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Sllavisha Filiq, i cili ngarkohet se si pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, së bashku me dy zyrtarë tjerë të paidentifikuar deri më tani nga organet tona, më 10 prill 1998 kishin ndaluar një veturë në Drenas, ku gjendeshin Hetem Sinani, Shaban Haziraj dhe Hafir Shala, ku të njëjtit sipas aktakuzës nga këta pjestarë ishin legjitimuar.
Aktakuza thotë se i akuzuari Filiq me dy zyrtarë tjerë (të tre të veshur me rroba civile) kishin marrë doktorin Shala dhe e kishin dërguar në objektin e Sigurimit Shtetëror në Prishtinë, ku mjeku Shala iu kishte nënshtruar rrahjeve dhe torturave dhe se nga ajo ditë më nuk dihet për fatin e tij.
Andaj, për këto veprime Filiq po ngarkohet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë.