Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore të Ferizajt ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja në tentativë”.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamenti për të Mitur – Shabi Idrizi, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i arsyeshëm se me datë 27.04.2025, rreth orës 15:10, në një rrugë në Ferizaj, përkatësisht përballë shkollës se mesme të mjekësisë, i mituri me dashje ka tentuar që ta privojë nga jeta të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që, pas një mosmarrëveshje të mëhershme, përmes rrjetit social “Snapchat”, dhe me tu takuar në oborrin e shkollës së lartcekur, i mituri paraprakisht kishte siguruar një mjet të mprehtë-thikë, mjet ky i përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor apo dëmtimin e shëndetit, ku fillimisht e ofendon me fjalë banale të dëmtuarin, e më pas e godet tre herë radhazi me thikë në pjesën e gjoksit dhe krahut, për çka i njëjti si pasojë e këtyre goditjeve pëson lëndime të rënda trupore, e për ato lëndime posedon edhe raport mjekësor të datës 27.04.2025, lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm, Qendra Emergjente në Ferizaj, e për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, i njëjti transferohet menjëherë në QKUK në Prishtinë” thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.