Nga Berati ku turin e tij elektoral në këtë qark e nisi me një takim me fermerët e kësaj zone, për të shpalosur arritjen në sektorin e bujqësisë, kryeministri shqiptar Edi Rama ka zbuluar edhe dy “rekordet” e tij personale, për të cilat thotë se janë në nivel të Guinnes-it.
Sipas kreut të PS-së, një nga rekordet e ka në nivel kombëtar dhe tjetrin në atë botëror.
“Një rekord e kam unë. Dy kam në fakt, një e kam botëror, një kombëtar. Botërori është që jam piktori më i mirë mes kryeministrave në të gjithë botën. Dhe jam kryeministri më i mirë mes piktorëve në të gjithë botës. Këtë nuk ma merr njeri. Ky është Guinnes. Rekordin kombëtar që kam është që nga 1912 të gjithë kryeministrat deri këtu, t’i bashkojnë të tërë kilometrat që kanë bërë në Shqipëri janë nuk e di sa xhiro mbrapa meje janë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë nuk la pa ironizuar opozitën, duke thënë se shansi historik për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian nuk duhet humbur për “mustaqet e Çelos”.
.“Na duhet të kapim dhe të mos lëshojmë këtë shans për mustaqet e Çelos. Ti bëjmë yzmetin këtij shansi dhe të kemi frymëmarrje tjetër. Është si të vësh mushkëri të reja dhe të vraposh me një shpejtësi më të lartë. Nuk mundet dot t’i lësh pa i vënë se ke disa politikëra në kokë. Kjo është kombëtare. Me këtë vijnë edhe gjëra të tjera, që janë programe, ku ne sot s’mund të kemi akses se nuk jemi pjesë e asaj familjeje. Ata na mbështesin si fqinj, por kur të jemi brenda, mbështetemi si anëtarë të familjes. Prandaj ata që janë më të mëdhenj kontribuojnë në arkën e familjes më shumë sesa marrin nga ajo arkë. Gjermania, Italia e Franca japin më shumë sesa marrin, jo se e bëjnë për bamirësi. Kurse arka e asaj familjeje ka kontribuuesit dhe përfituesit, dhe ne bashkë me të tjerët që janë më të vegjël, do të bëhemi përfitues. Nuk e imagjinoj dot që njeriu të ketë logjikë dhe pak përqendrim për të dëgjuar se si qëndron kjo punë dhe të thotë s’më intereson kjo. Edhe këto fiksimet si fiksimi i atij që kanë njerëzit, nevoja, edhe këto adresohen shumë më shpejt dhe më mirë nëse kemi buxhet të shtuar”, u shpreh Rama, raporton A2