Shumë qytetarë serbë janë mbledhur para një murali të kriminelit të dënuar për gjenocid, Ratko Mlladiq në Beograd. Murali tani po mbrohet nga ana e xhandarmërisë serbe, ndërkohë që disa orë më parë u sulmua aktivistja Aida Çoroviq, pasi ajo hodhi vezë mbi një mural me imazhin e kriminelit Mlladiq.
“Xhandarmëria ia mban grafitin kriminelit të luftës dhe nuk na lejon të kalojmë ne qytetarët”, shkruan aktivisti Marko Mihailoviq në Twitter dhe tregon pamjet e policëve serbë që janë mbledhur aty.
Shumë aktivistë janë mbledhur në kryeqytetin e Serbisë për të protestuar ndaj arrestimit të Aida Çoroviq.
Shkrimtari serb, Vladimir Arsenijeviq ishte dëshmitar i sulmit ndaj aktivistes Aida Çoroviq, pasi ajo hodhi vezë mbi një mural me imazhin e kriminelit serb, Ratko Mlladiq në Beograd. Ajo u arrestua nga policisë me rroba civile, shkruan Al Jazeer.
“I gjithë shteti i Serbisë, me fuqinë e tij, e ka sulmuar një grua në moshë, gjë që është anormale, dhe unë thjesht u përpoqa ta mbroj atë nga ata”, tha Arsenijeviq
Shpresë për të ardhmen
Protestat ndaj muralit të kriminelit Ratko Mlladiq po shihen si shpresëdhënëse nga ana e ekspertit të sigurisë njëherit ish-zyrtarit të NATO-s, Robert Pszczel.
Ai ka thënë në Twitter se nderimi i kriminelëve të luftës nuk do i bëjë mirë Serbisë në rrugën drejt një të ardhme më të mirë.
Kujtojmë se në Serbi dhe Republikën Srpska të Bosnjës ka shumë murale të ish-kriminelit Mlladiq. Po ashtu, shumë njerëz në Serbi, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, nuk e pranojnë se në luftërat e ish-Jugosllavisë ka pasur gjenocid nga ana e serbëve ndaj popujve tjerë.
Vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte përuruar një rrugë me emrin e Mlladiqit në Beograd në kohën sa ishte në opozitë.
Një mural i Mlladiqit gjendet edhe në veri të Kosovës.