Shkencëtarë të njohur kanë paralajmëruar se personat që kanë kaluar Covid-19, veçanërisht ata që kanë përjetuar simptoma afatgjata të njohura si “long Covid”, mund të jenë në rrezik shumë më të lartë për të zhvilluar demencë para se të mbushin 70 vjeç.
Sipas ekspertëve amerikanë, virusi që ka infektuar rreth dy të tretat e popullsisë në Mbretërinë e Bashkuar, mund ta rrisë deri në pesëfish mundësinë për zhvillimin e demencës tek ata që kanë pasur simptoma të vazhdueshme, transmeton klankosova.tv.
Dr. Gabriel de Erausquin, neurolog në Universitetin e Shëndetit të Teksasit në San Antonio, i cili po studion lidhjen mes Covid-19 dhe demencës, tha për Wall Street Journal se personat mbi 57 vjeç që kanë vuajtur nga long Covid “kanë profilin e dikujt me fazat shumë të hershme të Alzheimerit”.
Sipas tij, “në të rriturit më të moshuar nuk duket se ky është një proces i kthyeshëm”.
Dr. Erausquin po udhëheq gjithashtu një studim me 4,000 pacientë që kanë kaluar Covid pas moshës 60 vjeç.
Të dhënat fillestare tregojnë se rreth një e treta e këtyre personave mbi 65 vjeç, që vuajnë nga simptoma afatgjata, plotësojnë kriteret për dëmtim të lehtë njohës — një gjendje që mund të jetë pararendëse e demencës.
Ky përbën një rritje të madhe — katër deri në pesëfish — në krahasim me personat e së njëjtës moshë që nuk kanë pasur simptoma të zgjatura pas Covid-it.
Edhe pse dëmtimi i lehtë njohës nuk çon gjithmonë në demencë, studimet tregojnë se rreth një në gjashtë pacientë me këtë gjendje përfundojnë me një diagnozë të demencës brenda një viti.