Numër më i madh i zyrtarëve publik që nuk kanë deklaruar pasurinë, krahasuar me vitin paraprak.
Kështu tha Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në një intervistë për “KosovaPress”.
“Kemi rreth 10 mijë e 700 zyrtarë publikë që kanë qenë të obliguar për të kryer obligimin. Nga ta vetëm 141 nuk e kanë kryer brenda afatit. Fillimisht kemi pas një listë prej rreth 300-ve, kur është pastruar lista, jemi ardhur tek lista prej 141 zyrtarë. Tashmë kemi dërguar kërkesat tek institucionet për pagat e tyre dhe jemi në proces të shqyrtimit të gjobave për këta zyrtarë publikë. Besoj se brenda javës së ardhshme, do të publikojmë edhe listën gjithë këtyre zyrtarëve të cilët nuk e kanë respektuar ligjin, sepse e kemi obligim ligjor që publiku të dijë se kush janë këta zyrtarë që nuk e kanë kryer obligimin.
Ky publikim, por edhe shqiptimi i gjobave nuk e ndalon procesin e kallëzimit penal në qoftë se këta zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë pas afatit shtesë… Për secilin nga ata të cilët nuk e kryen obligimin brenda afatit, përveç ata që kanë ndonjë rrethanë e cila i pamundëson objektivisht mos kryerjen e kësaj detyre, mund të jetë një sëmundje, apo arsyeje tjetër që e pengon, gjitha këto tjerat do të dërgohen në formë të kallëzimeve penale”, ka thënë ai.