Papajtueshmëria e pozitave ekzekutive me mandatin e deputetit dhe mungesa e një zgjidhjeje politike po e thellojnë edhe më tej bllokadën. Analistët paralajmërojnë se e vetmja rrugëdalje është Gjykata Kushtetuese.
Për herë të dytë dështoi konstituimi i Kuvendit. Por, këtë herë nuk u hodh fare në votim raporti i Komisionit që do ta verifikonte kuorumin dhe mandatet.
Eugen Cakolli nga KDI, organizatë që monitoron punën e Kuvendit, konsideron se sot duhej të dilte një raport i ri dhe më pas të votohej.
“Raporti i komisionit nuk është votuar dhe nuk ka efekt juridik. Duhej të rikthehej në komision, të dilte një raport i ri dhe më pas të votohej, kjo është procedura”, ka thënë Cakolli.
Edhe analisti Artan Muhaxhiri e quan situatën e krijuar të paarsyeshme dhe të motivuar politikisht.
“Është shkelur rregullorja dhe gjithçka është bërë për interesa partiake, jo për funksionimin e Kuvendit si institucion”, ka thënë Muhaxhiri.
Rrjedhimisht, njohësit e punës së Kuvendit po konsiderojnë se anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët janë zgjedhur deputetë, ndodhen në konflikt interesi.
Cakolli sheh dy rrugë: ose dorëheqje formale të ministrave, ose votim të raportit me shumicë të thjeshtë, nëse sigurohet një marrëveshje politike.
Por, që sipas tij, ky i fundit mund të sfidohej në Gjykatën Kushtetuese.
“Çdo shmangie nga zgjidhja kushtetuese bart rrezik që Gjykata ta kthejë të gjithë procesin në pikën zero”, ka shtuar Cakolli.
Për Artan Muhaxhirin, vendi ka hyrë në një fazë ku ligji relativizohet dhe interpretimi politik zë vendin e praktikave kushtetuese.
“Palët politike po viktimizohen reciprokisht, por askush nuk po kërkon zgjidhje reale. I vetmi institucion që mund të japë drejtim është Gjykata Kushtetuese”, ka shtuar Muhaxhiri.
Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të rrjedhë seanca e së shtunës, e cila i bie të mbahet pa bërë 48 orë të tjera nga thirrja e seancës konstituive./RTK