Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryetari i LVV-së, Albin Kurti, nuk ka lënë hapësirë për bashkëpunim me partinë që ajo përfaqëson.
Ajo tha se letra e dërguar ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku për takim nga Kurti, nuk ka gjetur mirëkuptim në organet e partisë, kjo për faktin se Kurti ka ofenduar, sipas saj, “të gjithë 171 mijë votuesit e LDK-së, duke i quajtur ‘hajvanat’”.
“Ne e kemi diskutuar edhe ftesën e Kurtit në organet e partisë dhe ka pasur pajtueshmëri të plotë që zoti Kurti në këtë pikë ku jemi, nuk ka lanë hapësirë as për t’u takuar me të. Sepse, sinqerisht t’ju them, përpos një ofendimi që e ka bërë drejtpërdrejtë për programin e LDK-së, ai atë natë e ka ofenduar rëndë elektoratin e LDK-së, duke i quajtur ‘hajvant’ mbi 171 mijë votuesit e LDK-së. Ai iu ka referuar opozitës, por në mënyrë indirekte ofendimet kanë qenë të drejtuara kah ne”, u shpreh ajo në Klan Kosova.
Zoti Kurti duhet të reflektojë sepse e ka sjellë veten në një situatë shumë të palakmueshme, duhet t’i ndryshojë sjellët e tij, u shpreh Bajrami