Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, ka deklaruar se marrëveshje për bashkëpunim në turizëm me Emiratet e Bashkuara është e paligjshme, duke shtuar se ajo është në kundërshtim me ligjet e vendit.
Siç ka raportuar të mërkurën Vijesti, Milatoviq ka thënë se është me qytetarët e Ulqinit sidomos sot “kur flitet për temën e marrëveshjes së nënshkruar me Emiratet e Bashkuara arabe”.
“Në Ulqin s’ka njeri që është kundër investimeve dhe këtë e kam dëgjuar sot nga të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Ulqinit, të cilët vijnë nga të gjitha partitë politike. Megjithatë, çdo investim që vjen në Ulqin apo në Mal të Zi duhet të bazohet në dy gjëra kyçe: ligjet e shtetit të Malit të Zi dhe nevojat e qytetarëve”, ka deklaruar Milatoviq.
Ai është shprehur se kjo marrëveshje për zhvillimin e pasurive të paluajtshme bie ndesh me parimet e Kushtetutës së Malit të Zi, teksa shtoi se ky është investim kundër nevojave të komunitetit lokal “i cili në Kuvendin e Komunës së Ulqinit u tha qartë se është kundër një investimi të tillë të paralajmëruar”.
Milatoviq ka kërkuar që të pritet opinioni i Komisionit Evropian mbi këtë çështje, pasi ditë më parë kreu i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i shkroi letër kryetares, Ursula von der Leyen, ku i kërkoi me urgjencë ta trajtojë çështjen e marrëveshjes.
Kryeministri Milojko Spajiq ia ka dorëzuar propozimin kryeparlamentarit, Adrija Mandiq, për plotësim të rendit të ditës së seancës së Kuvendit, duke kërkuar që të diskutohet kjo çështje.