Më shumë se 1 milion doza të vaksinës “Pfizer” që po mbahen në Izrael dhe së cilave pritet që t’u skadojë afati në fund të muajit korrik mund të përfundojnë në shportë mbeturinash, si pasojë e dështimit të një marrëveshjeje me Britaninë e Madhe.
Izraeli ia kishte ofruar këto doza Britanisë, si pjesë e planit për shkëmbim me po të njëjtat doza të vaksinave që vendi pritet t’i marrë nga “Pfizeri” në shtator.
Autoritetet britanike kanë përshpejtuar fushatën e vaksinimit para se të hiqen masat në fund të korrikut.
Dy vendet ishin në fazën e fundit të bisedimeve, porse u zmbrapsën shkaku i problemeve teknike.
Britania e Madhe nuk kishte plane tjera të shkëmbimit të vaksinave përveç me Izraelin.
Kompania “Pfizer” ka refuzuar kërkesën e Izraelit që të zgjasë afatin e vaksinave që posedon.
Kompania ka bërë të ditur se nuk mund të garantojë që dozat do të jenë të sigurta pas 30 korrikut.
Izraelit i ka dështuar gjithashtu plani që 1 milion dozat t’i transferojë në Bregun Perëndimor, pasi që liderët palestinezë e refuzuan marrëveshjen shkaku i afatit të përdorimit të tyre.