Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur sot në mesditë fshatin Jagodë të Klinës, ku një veturë është përplasur nga treni që po qarkullonte në relacionin Pejë–Prishtinë, ku për pasojë një person humbi jetën, ndërsa tre të tjerë u lënduan rëndë.
Sipas medieve viktimë e aksidentit të rëndë është N.M, i cili ishte duke e drejtuar veturën që u godit fuqishëm nga treni dhe u tërhoq për rreth 160 metra.
Edhe tre familjarë të viktimës janë lënduar rëndë si pasojë e aksidentit, dy prej të cilëve janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa njëri është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë policore, ekipi i Zyrës për Krime të Rënda si dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).
Hetimet janë duke u zhvilluar nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Pejë, ndërsa rasti është cilësuar si “Aksident trafiku me pasoja fatale”