Flamur Sula, babai i Ilaria Sulës, ka reaguar ndaj kërkesës së ndjesës që vrasësi i vajzës së tij, Mark Samson, i dërgoi nga burgu.
Në një prononcim për mediat italiane ai ka theksuar se nuk ka asnjë justifikim për veprën e kryer dhe se nuk mund ta fal atë që ndodhi. “Nuk ka falje, nuk e falim,” u shpreh ai, duke dënuar me forcë vrasjen e vajzës së tij.
Ai tha se kërkesa për falje nga vrasësi ishte e papritur dhe absurde. “Nuk e prisnim një kërkesë ndjesë tani, mbase pas 30 apo 40 vjetësh, por jo tani. Ai thotë se po qan, por ne kemi 20 ditë që qajmë për vajzën tonë. Ilaria nuk e meritonte këtë fund. Ajo ishte një vajzë e mrekullueshme,” tha Flamur Sula.
Në lidhje me pretendimin e Mark Samsonit se e donte Ilarian, babai i saj e quajti këtë një tradhti të pafalshme. Ai theksoi se, nëse dikush do të donte një person, nuk mund të shkonte deri në pikën e vrasjes së tij. “Kur Ilaria u zhduk, Mark Samson më tha: ‘Unë e dua Ilarian, nuk do ta lëndoja kurrë’. Por përkundrazi, ky ishte realiteti,” shtoi ai./euronews.al