Close Menu
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    Facebook Instagram YouTube
    GazetaDemosGazetaDemos
    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • OP/ED
    • Stili/Jeta
    • Video
    sq Albanian
    sq Albanianhr Croatianen Englishfr Frenchde Germansr Serbiantr Turkish
    GazetaDemosGazetaDemos
    Lajme

    Çka thuhet në raportin e ri të KS të OKB-së për Kosovën?

    01/04/2025 18:46
    Share
    Facebook Twitter WhatsApp

    Gjatë muajit prill, pritet të mbahet seanca e parë raportuese për situatën në Kosovë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

    Në raport pritet të konstatohet se nuk ka pasur progres domethënës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Aty potencohet edhe vendimi i datës 28 tetor 2024 i Serbisë, e cila miratoi një projektligj që përcakton Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”, por që i njëjti nuk kritikohet.

    Gjithashtu, përmendet se në po të njëjtën ditë, qeveria serbe miratoi një projektligj të veçantë “për organizimin dhe juridiksionin e autoriteteve të saj gjyqësore, duke zgjeruar kompetencën e Prokurorisë së Lartë Publike dhe Gjykatës së Lartë në Beograd për ndjekjen penale të veprave penale të kryera në Kosovë”.

    “Prishtina i dënoi masat, duke i konsideruar ato si shkelje të sovranitetit të Kosovës”, thuhet në një pjesë të këtij raporti.

    Në ndërkohë, thuhet se përpjekjet për zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme kanë ngecur, teksa përmendet edhe takimi i tashmë ish-Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, i datës 17 dhjetor 2024, me negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, të cilët në raport thuhet se riafirmuan angazhimin e tyre për zbatimin e Deklaratës së 2023 për Personat e Zhdukur.

    “Megjithatë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, thuhet se u largua nga një takim i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur të planifikuar për më 15 janar në shenjë proteste kundër mbylljes së disa institucioneve paralele në Kosovë nga Prishtina më herët atë ditë. (Institucionet paralele i referohen një rrjeti të strukturave administrative, arsimore dhe shëndetësore në Kosovë të administruara dhe të financuara nga Serbia që operojnë krahas strukturave të lidhura me Prishtinën, shpesh në zona me një popullsi të konsiderueshme etnike serbe.). Sipas policisë së Kosovës, mbylljet – duke pasur cak zyrat postare dhe bankat – janë kryer për të vendosur ‘rendin dhe ligjshmërinë’. BE-ja kritikoi masën për mospërputhje me detyrimet e Kosovës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia duhet të zgjidhet përmes dialogut. (Shefja e UNMIK-ut, Caroline) Ziadeh shprehu gjithashtu shqetësimin për ndikimin e veprimit në jetën e përditshme të komuniteteve joshumicë të varura nga këto institucione dhe kërkoi një angazhim të ripërtërirë ndaj dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet mes tjerash në këtë raport që pritet të diskutohet në një datë gjatë prillit.

    Në raport përmendet edhe situata e sigurisë në pjesën veriore të vendit, e cila thuhet se vazhdon të mbetet fragjile.

    Po ashtu, përmendet edhe shpërthimi i fuqishëm më 29 nëntor 2024, i cili dëmtoi rëndë kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

    Thuhet se kryeministri Albin Kurti, për këtë rast akuzoi Beogradin si orkestrues të tij, teksa thuhet se presidenti serb, Alleksandar Vuçiq mohoi akuzat si të pabaza.

    Raporti përmend edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, i cili reagoi për rastin duke aprovuar masa emergjente për të rritur sigurinë përreth infrastrukturës strategjike derisa policia njoftoi për arrestime të ndërlidhura me sulmin.

    Sulmi thuhet se u dënua nga Ziadeh.

    Raporti që do të prezantohet gjatë muajit prill, përmend edhe zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë, teksa thuhet se LVV-së do t’i duhet të bëjë koalicion qeverisës.

    Veç tjerash, vend në këtë raport zë edhe deklarata e përbashkët e nënshkruar mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë më 18 mars për bashkëpunim në mbrojtje.

    “Në reagim ndaj kësaj marrëveshjeje, Beogradi lëshoi një deklaratë që kritikon paktin si ‘kërcënim të sigurisë ndaj popullit serb dhe gjithë rajonit’ dhe ‘në kundërshtim të plotë me ligjin ndërkombëtar dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit’. Ditën pasuese, Prishtina reagoi duke dënuar komentet e Beogradit si ‘agresive dhe kërcënuese’, duke i karakterizuar më tej si ‘shkelje flagrante të Marrëveshjeve të Brukselit’”, thotë raporti.

    Thuhet se prioritet kyç i Këshillit të Sigurimit është ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe promovimi i de-eskalimit të tensioneve në veri, sikurse edhe të monitorojë përpjekjet diplomatike për të avancuar dialogun Kosovë-Serbi dhe të arrijë normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

    E për të arritur këtë qëllim, Këshilli tha se mund të kërkojë një “deklaratë presidenciale që bën thirrje për përmbajtje dhe ripërsëritje të mbështetjes për dialogun e lehtësuar nga BE-ja si kornizën kryesore për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura”.

    Këshilli gjithashtu thuhet se mund të shprehë mbështetje për Përfaqësuesin Special të sapoemëruar të BE-së, Peter Sorensen dhe t’i kërkojë dy vendeve që të angazhohen në mirëbesim drejt rifillimit të bisedimeve të normalizimit.

    “Përveç kësaj, Këshilli mund t’i kërkojë Sekretarit të Përgjithshëm të kryejë një rishikim strategjik të UNMIK-ut për të shqyrtuar se si të rritet efektiviteti i misionit”, theksohet në raport.

    Në raport bëhet e qartë se shumica e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit mbështesin dialogun e BE-së, megjithatë theksohen “ndasitë e thella në mesin e anëtarëve të përhershëm” të cilat thuhet se po e karakterizojnë qasjen e Këshillit për këtë çështje.

    Në mesin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit, Franca, Britania dhe ShBA-ja njohin pavarësinë e Kosovës “dhe priren të jenë më mbështetëse të qeverisë së saj; Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë e saj dhe mbështesin fuqishëm pozicionin e Serbisë dhe pretendimin e saj për integritet territorial. Gjashtë anëtarë të zgjedhur (Danimarka, Guajana, Pakistani, Panamaja, Republika e Koresë [ROK] dhe Sllovenia) e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa dy (Algjeria dhe Greqia) jo”.

    “Sa i përket dy anëtarëve të tjerë të zgjedhur, Kosova pohon se Sierra Leone e ka njohur zyrtarisht pavarësinë në qershor 2008. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave, Serbia pretendoi në mars 2020 se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e saj, duke cituar një notë verbale për këtë çështje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sierra Leones. Kosova konteston vlefshmërinë e tërheqjes. Somalia e njohu Kosovën më 19 maj 2010. Megjithatë, më 4 janar 2023, Vuçiqi thuhet se pretendoi se Somalia, së bashku me tetë vende të tjera, e kishin anuluar njohjen. Këto pretendime i kanë kundërshtuar edhe autoritetet kosovare”, thuhet në raportin e KS të OKB-së që pritet të diskutohet gjatë këtij muaji.

    Edhe çështja e modifikimit të mandatit të UNMIK-ut, me synimin e tërheqjes së mundshme të tij totale, është një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mes anëtarëve të Këshillit.

    Artikuj të ngjashëm

    Këtu mund ta ndiqni LIVE seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën

    Tarifat e Trump ndaj Kinës, shefi i OKB-së: Askush nuk fiton në një luftë tregtare

    Izraeli njofton se do të tërhiqet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

    Të Fundit

    Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë, dyshohet se ra nga një objekt

    Hyjnë në fuqi tarifat e SHBA-së prej 50% për çelikun dhe aluminin

    Sot seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

    Kjo është arma në formë stilolapsi me të cilën dyshohet se u plagos 15-vjeçari shqiptar – Detaje

    Presidentja Osmani takon sot partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale

    Gazeta Demos është medium i pavarur informativ, që ka për qëllim informimin e shpejtë dhe të paanshëm, portal që synon të plasojë të dhëna objektive për audiencën e gjerë, duke pasur për kryefjalë lajmin si kategori kryesore. Gazeta Demos ka për mision që të përçojë te lexuesi informatat më të reja të zhvillimeve të fundit brenda dhe jashtë vendit, me etikë profesionale dhe me qasje pasionale. Gazeta Demos funksionon edhe si medium intermedial, e cila në tregun medial po hyn, jo përmes politikave redaksionale ditore, por atyre konstante nacionale, duke e kultivuar edhe shijen e lexuesit. Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

    KONTAKT & MARKETING

    Rruga "Uran Ajeti", 68 Prishtinë
    info@gazetademos.com
    marketing@gazetademos.com
    Tel: +383 48 579 555

    • Lajme
    • Ndërkombëtare
    • Sport
    • Magazina
    • Stili/Jeta
    • OP/ED
    • Teknologji
    • Video
    Facebook Instagram YouTube
    Te gjitha te drejtat e rezervuara © GazetaDemos - 2025

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.