Irfan Lipovica, i arrestuar dhe i dyshuar për përfshirje në skandalin e rezervës shtetërore, ka përfituar një pozitë të rëndësishme.
Ai nga qeveria është emëruar drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit në MINT.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme pas rekomandimit nga ministrja Rozeta Hajdari.
Lipovica ishte arrestuar bashkë me Ridvan Muharremin dhe një zyrtar tjetër në MINT, për dallavere me rezervat shtetërore.
Sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.
Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik.