Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar pasi Gjykata Speciale nuk e lejoi ish-presidentin Hashim Thaçi që të marrë pjesë në varrimin e babit të tij.
Çitaku e ka quajtur Specialen, Gjykatë e specializuar për padrejtësi.
Ajo ka vlerësuar se ky vendim është një padrejtësi e rëndë, i ftohtë dhe çnjerëzor që mohon këtë të drejtë themelore.
“Baca Haxhi nesër do të përcillet në rrugëtimin e tij të fundit, i rrethuar nga dashuria dhe nderimi i të gjithëve ne që e njohëm dhe e çmuam jetën dhe veprën e tij. Do të jemi aty për ta përcjellë me respekt e dhimbje, por edhe me krenari për gjithçka që ai dha për këtë tokë. Por dhimbja bëhet edhe më e rëndë, sepse biri i tij nuk do të jetë pranë për ta dhënë lamtumirën e fundit. Një padrejtësi e rëndë, e ftohtë dhe çnjerëzore ia mohon këtë të drejtë themelore. Kjo nuk është drejtësi. Gjykatë e specializuar në padrejtësi. Kjo është dhimbje e dyfishtë, padrejtësi që historia do ta gjykojë.”, ka shkruar Çitaku.