Një postim i Ambasadës Gjermane në Kosovë është bërë viral këto ditë, duke marrë afër gjashtë mijë pëlqime. Në një fotografi ku paraqitet maja më e lartë në vend, Gjeravica dhe malet pranë saj, komentues të shumtë serbë u shprehen me fjalët si: “Kosova është Serbi”.
Në fotografinë e publikuar në rrjetin social Facebook, ambasada fillimisht ka shkruar:
“Ecja në terren në këtë vend të bukur është vërtet mahnitëse me një panoramë që të lë pa frymë para jush. Përshëndetje majës më të lartë të Kosovës, Gjeravicës, dhe fqinjëve të saj mahnitës!”.
FOTO:
Nuk kaloi shumë kohë dhe qindra komentues serbë u aktivizuan duke bërë komente si “Kosova është Serbi”, “Malet e bukura serbe” e të tjera.
Megjithatë, administratori i faqes së Ambasadës vendosi t’ua kthejë, duke ua bërë me dije se Kosova është e pavarur, transmeton Nacionale.
“Pavarësia e Kosovës është fakt dhe realitet. Gjermania e ka njohur Kosovën si të pavarur që nga viti 2008, pak pasi shpalli pavarësinë.
Kjo njohje ndahet edhe me shumicën e shteteve anëtare të BE-së dhe shumë vendeve të tjera në mbarë botën.
Gjermania qëndron e përkushtuar në përkrahjen ndaj sovranitetit të Kosovës dhe integrimti të saj në strukturat evropiane dhe ndërkombëtare” – thuhet në një prej përgjigjeve.
Në një koment ku thuhej “I dua malet serbe”, administratori u përgjigj: “I duam edhe ne. Por malet në këtë foto nuk i përkasin Serbisë”.
Këto më poshtë janë vetëm disa prej komenteve, të cilave ambasada vendosi t’u përgjigjej.
Pikërisht për shkak të deklaratave të dhëna aty, ambasada më pas vendosi t’i kufizojë të njëjtat, për shkak se siç thanë, “nuk nxisin debate konstruktive”.
“Kemi vendosur t’i kufizojmë komentet nën këtë postim, për shkak të një numri të madh të komenteve konfrontuese, që nuk nxisin debate konstruktive apo shkëmbim pikëpamjesh. Qëllimi ynë është të mbajmë një platformë diskutimi të respektueshme dhe kuptimplote. Faleminderit për mirëkuptimin”.
Ndërkohë, një komentues kosovar në lidhje me gjithë këtë, ka thënë:
“Ambasada gjermane duke i bërë serbët të qajnë”.