Dy vajza humbën jetën pas lëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi sot rreth orës 10:00 në aksin rrugor Domoroc-Hodonoc, në komunën e Ranillugut. Një tjetër person ka marrë lëndime, por ka shpëtuar.
Fillimisht, aksidenti u raportua si vetaksident, por pas analizimit të kamerave të sigurisë nga policia, u zbulua se ky ishte një aksident i përfshirë mes një automjeti dhe një kamioni.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi se aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një kthimi të pasigurt nga ana e drejtuesit të kamionit.
Sipas Hashanit, hetimet kanë treguar se manovra e kamionit ka penguar lëvizjen e automjetit që ishte në proces të tejkalimit, duke shkaktuar humbjen e kontrollit nga ana e shoferes së veturës.
Vajzat që vdiqën janë Arbnora Basha dhe Antiana Thaqi të cilat ishin studente në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan.