Dy vajza humbën jetën pas lëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi sot rreth orës 10:00 në aksin rrugor Domoroc-Hodonoc, në komunën e Ranillugut. Një tjetër person ka marrë lëndime, por ka shpëtuar.
Fillimisht, aksidenti u raportua si vetaksident, por pas analizimit të kamerave të sigurisë nga policia, u zbulua se ky ishte një aksident i përfshirë mes një automjeti dhe një kamioni.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, konfirmoi për Insajderin se aksidenti dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një kthimi të pasigurt nga ana e drejtuesit të kamionit.
Sipas Hashanit, hetimet kanë treguar se manovra e kamionit ka penguar lëvizjen e automjetit që ishte në proces të tejkalimit, duke shkaktuar humbjen e kontrollit nga ana e shoferes së veturës.
“Si rezultat i veprimeve hetimore nga Njësiti Rajonal i Komunikacionit Rrugor, shikimit të vendit të ngjarjes, këqyrjes së kamerave dhe mbledhjes së provave të tjera, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ngritur dyshimi se aksidenti nuk ishte vetaksident, por një aksident trafiku. Dyshohet se drejtuesi i kamionit, mashkull kosovar i lindur në vitin 1970, me targa vendore, ka bërë një kthim të pasigurt që ka penguar lëvizjen e automjetit që ishte në tejkalim. Si pasojë, shoferja e automjetit, duke mos përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe është përpjekur të shmangë goditjen nga kamioni, duke përfunduar jashtë rrugës, të rrokullisur”, tha Hashani për Insajderin.
Policia pas këqyrjes së kamerave: Nuk ishte vetaksident ku vdiqën dy vajza, por aksident mes veturës dhe kamionit
Hashani shtoi se drejtuesi i kamionit, i dyshuari për shkaktimin e aksidentit, është ndaluar nga policia për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit. Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Rrethanat e këtij aksidenti janë ende duke u hetuar nga hetuesit policorë të aksidenteve, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit”, shtoi ai.