“Protesta më masive e studentëve në Beograd, së cilës do t’i bashkohen edhe qytetarë nga e gjithë Serbia”, është paralajmëruar për nesër si kulmi i pakënaqësisë ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq .
Kujtojmë se protestat nisën pasi një tendë u shemb në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, duke vrarë 15 persona. Në protestat pas tragjedisë, studentët dhe një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë kërkojnë ndër të tjera qasje në të gjithë dokumentacionin për rindërtimin e objektit të stacionit sepse janë të bindur se autoritetet po e fshehin të vërtetën.
Vuçiq dhe ndjekësit e tij, ku përfshihen SNS në pushtet, media, madje edhe Kisha Ortodokse Serbe, i akuzojnë studentët për “shkatërrimin e Serbisë” dhe i quajnë me emra poshtërues. Mediat vendase paraditen e sotme po shkruajnë për disa shembuj se si po përgatiten për protestën e nesërme.
Gjatë natës, traktorët janë parkuar në Pioneer Park, ku studentët qëndrojnë prej ditësh. Nova.rs raporton se një numër i madh i këtyre traktorëve nuk kanë regjistrim ose është i fshehur. Sipas ekspertëve, këto automjete shërbejnë vetëm për rritjen e presionit, nxitjen e frikës nga radikalizimi i protestave dhe përplasjet e ashpra, për të ulur numrin e njerëzve në protestën e nesërme.
Traktorët u sollën në një vend të dukshëm, përballë Kuvendit të Serbisë. Një numër i madh i këtyre automjeteve janë në pronësi të kompanive që presidenti Aleksandar Vuçiq i ka vizituar gjatë një prej turneve të tij, transmeton Nova.rs.
Në përgatitje të protestës së nesërme, qytetarët kanë vendosur thasë me gurë në rrugë. Aktivistët i kishin bërë thirrje më parë autoriteteve të qytetit që të heqin blloqet e betonit nga sheshi “Nikola Pashiq” për shkak të shqetësimeve për sigurinë e qytetarëve gjatë protestave. Në rrjetet sociale janë postuar disa video që tregojnë disa njerëz që bartin tulla në Pioneer Park.
Në prag të protestave foli edhe presidenti Aleksandar Vuçiq , i cili i tha RTS-së se nuk do të ketë qeveri kalimtare.
Ky, sipas tij, do të ishte fundi i një Serbie moderne, të suksesshme dhe të begatë. Ai për protestën e nesërme tha se “atëherë do të bëhen krimet më të rënda ndaj Republikës së Serbisë” dhe kërkoi nga studentët që të mos marrin pjesë në dhunë. Ai theksoi se dhuna nuk do të shmangej.
Garaža Pionirskog parka, nepoznata lica vade cigle iz gepeka i nose u park. pic.twitter.com/Lc6iJvvoc1
— Eko Straža (@EkoStraza) March 13, 2025